Rama del me tri opsione për zbatimin e tatimit në pronë

- in Lajme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka njoftuar se në lidhje me zbatimin e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave, të martën ka prezantuar tri rekomandime për shtyrjen dhe faljen e një shume të hollash për tatimin në pronë.

“Mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data 1 janar 2024, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë”.

“Ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë sipas pikës 1 të këtij propozimi ia mundëson Kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojë dhe të mbledhë tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022”.

“E inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që nga buxheti qendror të subvencionojë faturat e tatimit në pronë të vitit 2023, në vlerë deri në 100 eurot e para të faturimit”.

Këto janë tri opsionet e kryetarit Rama, të cilat më pas do ti shkojnë për shqyrtimi ministrisë së administrimit të pushtetit lokal dhe asaj të financave.

Ndryshe, për rritjen prej mbi 60 për qind qytetarët u informuan vetëm në momentin kur paguan obligimet e tatimit në pronë, gjë e cila ka ngjallur shumë reagime tek qytetarët dhe partitë politike në vend.

Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por çuditërisht, asnjëra s’ka pranuar se është autorja e rritjes, veçse kanë akuzuar njëra tjetrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com