Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë, duke bërë të ditur se të martën do të propozojnë amandamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronë të paluajtshme.
“Qeveria e Kosovës po e zhytë vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikë-bërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve”.
Kjo parti konsideron se veprime të tilla po bëhen për të mbrojtur skandalin e ambasadorit Martin Berishaj.
“Në rastin e tatimit në pronë, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo qeveri po bënë politikë shkel-e-shko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë”.

“Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumë milionësh të ambasadorit Martin Berishaj”, shtoi ai.
Për këtë arsyeje kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit i cili ka dyfishuar tatimet në prona.
“Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022, ndërsa gjatë vitit 2023 kërkohet që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka thënë se kanë një propozim për amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzoj në Kuvendin e Kosovës.
“Si Grup Parlamentar i PDK-së që nga nesër do të ndërmarrim nismën ligjore për amadamentimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, tha Shala.
Ai shtoi se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK-ja propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj.
“Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: Normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; Zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; Kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj”.
“Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që i lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit siç ka qenë para rritjes së fundit”.
Pa ndonjë analizë se sa rendohet gjendja ekonomike e qytetarëve, pa konsultime me bizneset dhe pa informim paraprak, çmimi për tatimin në prona është dyfishuar.
Për rritjen prej mbi 60 për qind qytetarët u informuan vetëm në momentin kur paguan obligimet e tatimit në pronë.
Në Kosovë përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com