Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, “po thotë të pavërteta”, pasi ky fundit theksoi se po kërkon që qytetarëve t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë, por këtë s’po e lejon opozita.
Sipas saj, asnjë shtet nuk është zhvilluar me politikën e lëmoshës.
“Ministër, je gabim dhe me vjen keq që je kaq injorant, e as idenë me të vogël nuk ke se çka bën ministria juaj. Këtu po t’i publikoj dëshmitë që Departamenti i Tatimit në Pronë, MFPT, në vlerësimin e fundit nuk i ka prekë fare bizneset, sepse ka qenë vlerësim për pronat rezidenciale”.
Ish-ministrja e Financave, ka potencuar se bizneseve as nuk u është rritë tatimi e as nuk do të përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit.
“Pezulloje vlerësimin ashtu siç ta kemi kërkuar e mos thuaj të pavërteta”, ka shtuar ajo./Albanian Post