Mbishkrime në mure dhe tabela me emrin e grupit rus “Wagner” në Mitrovicë dhe Zveçan

- in Lajme

Në muret e shkollës “Aziz Sylejmani” dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Kodrën e Minatorëve në Mitrovicë, është shkruar mbishkrimi “Wagner”, emër ky i grupit rus. Mbishkrime të tilla janë parë në mure të objekteve në Mitrovicën Veriore ndërsa në Zveçan ato janë hasur në tabelat e komunikacionit, raporton Sinjali.

Lidhur me këto dy raste, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, teksa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës ‘nxitje e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike’.

Ndryshe para një muaj gjatë barrikadave, veriu ishte mbushur edhe me “Z” simbol tjetër ky që përdorur dhe karakterizon agresionin rus në Ukrainë.

Wagner (Vagner), një kompani private ushtarake ruse, kohëve të fundit është në qendër të vëmendjes për shkak të përpjekjeve për rekrutim në Ballkanin Perëndimor, përmes lidhjeve me organizatat e krahut të djathtë që operojnë në këtë rajon.

Kjo ka nxitur reagime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë mediat po hetojnë vërtetësinë e këtyre pretendimeve.

Departamenti amerikan i Thesarit pritet të vendosë sanksione shtesë ndaj Wagner-it, që ka ndihmuar ushtrinë ruse në luftën kundër Ukrainës.

/GazetaSinjali/