Më 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshat, ku për disa orë vranë 42 civilë dhe 9 ushtarë të UÇK-së, ku një grua ende është e zhdukur. Edhe pas 24 vjetësh nga Masakra e Reçakut, deri tash thuhet se vetëm njëri nga autorët ishte dënuar nga UNMIK dhe autorët e tjerë e kësaj masakre mbeten të pakapshëm për institucionet vendës e ndërkombëtare. Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar fletë arreste ndërkombëtare për 18 persona serbë që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e masakrës së Reçakut, shkruan Gazeta Sinjali.
Për mos trajtim serioz të çështjes, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu drejtoi gishtin kah qeveritë e kaluara.
Ajo nuk kurseu as sistemin prokurorial dhe ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.
Sipas saj, “qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish-kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtim serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë.”
I menjëhershëm ishte reagimi nga Këshilli Prokurorial i Kosovës ku përmes një komunikate i cilësuan si të pavërteta deklartat e Ministres të Drejtësisë.
KPK-ja përmes një komunikate ka thënë se e pavërteta që ka thënë ministrja Haxhiu është dëshmuar lehtë, pasi sipas tyre, që nga marrja e mandatit të ish-Kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte.
KPK-ja tregon se poashtu janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve si dhe raste të tjera.
“E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës.
Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë”, thuhet na komunikatën e tyre.
Krejt kjo përplasje ndodhi pikërisht një ditë pas shënimit të përvjetorit të 24-të të masakrës e cila e mobilizoi botën se në Kosovë kishin nisur të kryheshin krime kundër njerëzimit.
Vetingu, Ligji për Këshillin Prokurorial, Zgjedhja e Kryeprokurorit e disa tema të tjera ishin deri tash arsye për përplasjet publike ndërmjet ministrisë e këtij këshilli.