Molliqaj: Martin Berishaj, tregtar i mafisë së energjisë së Ballkanit, me petkun e ambasadorit

- in Lajme

Pasi Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot një aksion lidhur me akuzat që janë bërë ndaj ambasadorit në Kroaci të Kosovës, Martin Berishaj, ka reaguar kryetari i saj, Dardan Molliqaj, i cili e ka quajtur Berishajn “tregtar të mafisë së energjisë së Ballkanit”.

Sipas Molliqajt, pushteti në Kosovë është i ndërlidhur drejtpërdrejt me Berishajn, të cilët ai thotë se duhet të japin përgjegjësi politike për “skandalin e përmasave ballkanike”.

Postimi i plotë:

Martin Berishaj, flamuri i skandalit

Martin Berishaj s’po del të jetë ambasador. Ai është tregtar i mafisë së energjisë së Ballkanit me petkun e ambasadorit.

Pushtetit ja vendosëm flamujt e Martin Berishajt, personifikimit të korrupsionit. Skandali i ambasadorit të Kosovës në Kroaci është skandali më i madh në Kosovë. Por, presidentja e kryeministri e mbrojtën. Ministrja e Punëve të Jashtme biles e shfajësoi; e njoh, tha, prandaj s’mund të jetë i fajshëm.

Është e qartë që pushteti në Kosovë është i ndërlidhur drejtpërdrejt me z.Berishaj. Është poashtu e qartë që Martin Berishaj i ka fshehur bizneset e veta tek autoritetet e Kosovës. Ai nuk e ka deklaruar pasurinë e tij. Për këtë duhet të jap përgjigje para prokurorisë. Por, mbi të gjitha, ai dhe pushteti bashkë me të duhet të japin përgjegjësi politike për këtë skandal të përmasave ballkanike.

/GazetaSinjali/