Gazeta Sinjali pak më parë ka raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku një grua dyshohet se i ka vënë flakën një shtëpie.
Incidentin e zjarrit e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha për Sinjalin se nga ngjarja kanë mbetur të lënduar dy persona.
“Sot rreth orës 04:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një objekt (shtëpi), në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia, ku kanë hasë në dy persona të lënduar, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor”, tha Ahmeti.
Zjarri është lokalizuar, ndërkohë që Policia në koordinim me Prokurorinë, ka nisur hetimet lidhur me rrethanat e rastit.
Ndryshe, burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një grua e ka pësuar keq dhe e njëjta është dërguar në gjendje të rëndë në spital, për shkak se zjarri që ka tentuar t’ia vë shtëpisë, e ka përfshirë edhe atë./Sinjali