Tre persona sulmojnë brutalisht një të mitur në Gjilan, e godasin me shufër metalike

- in Lajme

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:00 në rrugën ‘Zija Shemsiu’ në Gjilan, ku një i mitur dyshohet se është sulmuar brutalisht nga disa persona, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i mituri është dërguar atje në gjendje të rëndë, për shkak të lëndimeve të dukshme në kokë dhe shpinë. E këto lëndime dyshohet se iu shkaktuan me anë të goditjeve me mjete të forta.

Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë intervistuar viktimën lidhur me atë se çfarë ka ndodhur.

Bazuar në dëshminë e të miturit, derisa po ecte në rrugë është sulmuar nga tre persona të panjohur, të cilët e kanë goditur me shqelma, grushte e shufër metalike.

Policia ka marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit e po ashtu çojnë në identifikimin e të dyshuarve, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.

/GazetaSinjali/