Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se është nisur drejt Rashkës për të takuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Ky udhëtim i tij afër kufirit me Kosovën, vjen pas një vizite që u ka bërë njësive ushtarake serbe.
“Diku mes Kralevës dhe Rashkës. Përfundova një tur te njësitet e ushtrisë sonë, heronjtë tanë dhe u nisa për një takim me serbët e Kosovës. Besoj në drejtësi dhe ligj, por më së shumti në urtësinë serbe, por edhe në fuqinë dhe vendosmërinë e saj. Rroftë Serbia”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Ndryshe, një grup prej rreth njëzet personave, sonte kanë bllokuar pikëkalimin administrativ Merdarë në shenjë mbështetjeje për serbët nga Mitrovica e Veriut.
Barrikada, siç raporton RTS është vendosur në anën e territorit serb, afër Kurshumlisë e drejt Merdares.
Siç raportojnë mediat serbe, ata kanë vendosur një kamion dhe disa traktorë.
Ata kanë thënë se do të qëndrojnë aty deri në njoftim të radhës dhe kanë bërë thirrje edhe tek personat e tjerë që t’i bashkohen protestës.
Këto informacione mbeten ende të pakonfirmuara.