Gazeta Sinjali raportoi sot për një vrasje në Kolovicë të Prishtinë, ku një person dyshohet se e ka qëlluar aksidentalisht me armë gjuetie një 38-vjeçar. Viktima Fidaim Beka s’ka arritur t’u bëjë ballë plagëve dhe ka vdekur, teksa i dyshuar Përparim Canolli është arrestuar.
Lajmin tashmë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia e Kosovës dhe kanë njoftuar se arma e përdorur në rast është sekuestruar.
“Sot rreth orës 10:30, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri.
Viktima e këtij rasti F.B. mashkull, nuk ka arritë të përballoj plagët e shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK.
Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë gjuetie që dyshohet të jetë përdor në rast.
Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.“, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Sinjali