Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për arrestimin e një oficeri të Burgut të Dubvravës, i cili po dyshohet se me armën zyrtare ka shtënë disa herë, dje në rrugën “Llapi”, në Istog të Poshtëm. Atij iu konfiskua armë dhe u gjetën gëzhojat që do përdoren si prova.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për oficerin Zekë Llapi, 59-vjeçar, i cili për motive ende të panjohura ka shtënë me armë tri herë, dje në orët e pasdites.
Të shtënat që u dëgjuan në këtë fshat, bënë që dikush ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme. Ndërsa oficeri i dyshuar është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mbajtje në pronësi, në kontroll posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armës”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Sinjali