Mbrëmë (e enjte) është bërë hapja e “Sunny Hill Festival”, ku mijëra persona morën pjesë për të parë nga afër performancën e yllit shqiptar me famë botërore, Dua Lipa.
Artistja e famshme u ngjit në skenën e festivalit në mesnatën e mbrëmjes së kaluar për të performuar disa prej hiteve më të mëdha.
Krijuesja e hitit “Levitating” i dha të gjitha në performancë, duke bërë që publiku të këndonte e duartrokiste me secilën këngë të saj.
Ndërkohë, para se të bënte hapjen e natës së parë të festivalit, 26-vjeçarja mbajti edhe një konferencë për media.
Dua u shpreh se ndihej e lumtur dhe krenare që është rikthyer në shtëpinë e saj teksa tha se nuk ka ndjesi më të mirë se të performonte në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë konferencës ia dhuroi yllit të muzikës “Hyjneshën në fron”.
Kjo dhuratë iu dha asaj në nder të promovimit që i ka bërë Kosovës me vendosjen e saj në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve kulturore.
Ndërkohë, kujtojmë që “Sunny Hill Festival” do të vazhdoj deri të dielën më 7 gusht, ylli latin J Balvin sonte do të jetë ai që ngjitet në skenë mes emrave të tjera me famë botërore në vazhdim si Diplo dhe Skepta. /Telegrafi/