Ministrja e Finlandës për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen thotë se është koha që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, si i vendi i vetëm në rajon që nuk gëzon lirinë e lëvizjes.
Tuppurainen në një intervistë thotë se Finlanda mbështet edhe kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.
Derisa flet për situatën aktuale të sigurisë në botë pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ajo thekson se është këtu në drejtim të thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës.
Tuppurainen në intervistën dhënë për KosovaPress flet edhe për Ballkanin e Hapur, dialogun Kosovë – Serbi, mosvendosjen e sanksioneve nga Serbia për Rusinë dhe rrezikun potencial që i kanoset Ballkanit Perëndimor.
“Dua ta bëj shumë të qartë: Finlanda është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sigurisht që e meritoni. Të rinjtë tuaj e meritojnë. Kam takuar shumë të rinj kosovarë që janë të etur për të udhëtuar, për të pasur të drejta të barabarta për të udhëtuar. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave. Dhe tani është koha për ta dhënë atë. Finlanda është në favor të kësaj dhe ne kemi punuar drejt qëllimit që Këshilli të arrijë marrëveshjen për liberalizimin e vizave.”, ka thënë ajo për Kosovapress.