Ekskluzive: Albin Kurti takohet me deputetët e minoriteteve, iu bën presion që të votojnë kundër Trustit

- in Lajme

Kryeministri Albin Kurti, është takuar para pak minutave me deputetët e minoriteteve për t’i bindur ata që të mos e mbështesin ligjin për plotësimin dhe ndryshimin për fondet pensionale të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.

Gazeta Metro mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se kryeministri Albin Kurti, është takuar me deputetët e minoriteteve në njërën prej kafeneve afër objektit të Qeverisë.

Ky takim i Kurtit me minoritetet ndodh për shkak të seancës së ditës së enjte.

Ai pritet t’u bëjë presion dhe t’u kërkojë deputetëve të minoriteteve që të votojnë kundër Projektligjit që mundëson tërheqjen nga Trusti.

jithashtu Metro mëson se pjesë e diskutimit në këtë takim, pritet të jetë edhe Kodi Civil si dhe dhe Ligji për pagën minimale, që atakon edhe veteranët.

Nga fotografitë që ka kapur fotografi i Metros, shihet se me Kurtin në këtë takim do të shkojnë Fitima Damka, Enis Kervan, Emilija Redzepi si dhe deputetë tjerë të pakicave.

Me 16 qershor, ditën e enjte është caktuar seanca e radhës, ku në rend dite është edhe projektligji që ua mundëson qytetarëve tërheqjen nga Trusti.

Ndërkaq kujtojmë që me 25 maj Komisioni për Buxhet dhe Transfere s’ka miratuar propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i ligjit që mundëson tërheqjen prej 30 për qind nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Deputetët opozitarë të këtij komisioni ishin pro, ndërsa votat e pushtetit ishin kundër, teksa nga minoritetet, Verica Ceraniq e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Balje pas kësaj vote ishte deklaruar duke thënë se në grupin e tyre janë 50% pro dhe 50% kundër, derisa vet kishte thënë se do të votojë pro tërheqjes së Trustit.

Në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë.

Kujtojmë se Projektligjin për Trustin e kanë hartuar nga deputetët e PDK’së, me datë 9 mars.

Më 16 maj, kjo parti, bashkë me subjektin tjetër opozitar, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk e përkrahin tërheqjen e mjeteve nga Trusti, me arsyetimin se kjo nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët.

Sipas propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale, duhet ta kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri në 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 në mijë – 20 për qind. Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind, dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind. /gazetametro.net