Babai i Dua Lipës akuzon opozitën e Prishtinës për dështimin e Sunny Hill – VV votoi kundër

- in ShowBiz

Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë gjatë këtij viti, përkundër paralajmërimeve. 

Një tjetër lajm i keq për kulturën, pikërisht kur nuk kanë kaluar shumë javë pasi Komuna e Prishtinës ndau për organizatorin 17 hektarë tokë.

Pak çaste më parë, reagoi edhe babai i Dua Lipës, Dukagjini, që përmes një postimi në rrjetin social “Facebook“, konfirmoi letrën që ua ka dërguar institucioneve relevante.

Në këtë letër konfirmohet se sivjet, ky festival nuk do të mbahet në vendin tonë.

Gjithashtu, përmes këtij njoftimi, ai ka bërë të ditur shkaqet që çuan deri në këtë vendim, teksa shtoi se një i tillë ishte goxha i vështirë.

“Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, shkroi mes tjerash.
Tutje, Lipa shtoi se përkundër faktit që kanë hyrë në vitin e tretë të pritjes së mbylljes së kësaj çështjeje, ende nuk ka finalizim.
“Edhe pse jemi duke hyrë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare dhe finalizim të procesit për përcaktimin dhe dhënien e një hapësirë në shfrytëzim për masovizim të platformës së festivalit, për të krijuar një ekosistem të gjerë përfitues për interesat strategjike të shtetit tonë në mbarë botën, gjithë kjo kohë ka qenë e pamjaftueshme për institucionet relevante për marrjen e një vendimi përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit Sunny Hill përgatitjet e domosdoshme për mbajtjen e një edicioni dinjitoz në Prishtinë”, vazhdon letra.
Ai spjegoi edhe një fakt interesant, se sa ishte në kohën e qeverisjes së Ahmetit, të gjithë asamblistët pa dallim kishin votuar pro, teksa thotë se kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur.
Sipas Dukagjinit, ata kishin lënë inatet personale dhe ato politike, për një zhvillim më të madh në kulturës në kryeqytet.
“Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asambleistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-Kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur”, thuhet ndër të tjerash.
Në fund fare, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i festivalit tha se mbetet me shpresë që kjo përgjigje të merr vëmendjen e tyre, në mënyrë që kredibiliteti i tij personal dhe familjar, të mos mbetet në duar të asamblistëve.
“Mbesim me shpresë që përgjigja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i Festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbes në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike te shëndoshë, dhe na sjellin deri tek humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë”, përfundon letra.
Në anën tjetër, ishte faqja zyrtare e festivalit, që përmes një postimi në të njëjtin rrjet social, konfirmoi se i njëjti edicion do të mbahet në të njëjtat data, por në tjetër vend, saktësisht në Tiranë.
Më poshtë edhe letra e plotë që ai ua dërgoi krerëve më të lartë shtetërorë, teksa kujtojmë faktin se ky anulim, shënon një tjetër dështim në procedurat burokratike./Nacionale