Asnjëherë nuk është mjaft që të flitet e të tregohet për sakrificën e familjes Jashari.
Beteja e 5,6 e 7 marsit 1998 në Prekaz, ishte fillimi i fundit për Serbinë në Kosovë.
E kush më mirë e në mënyrë më autentike sesa Besarta Jashari, vajza e heroit Hamëz Jashari, mund ta rrëfejë atë kohë.
E mbijetuara e vetme në këtë betejë, në atë kohë fëmijë, tani Besarta rrëfen për RTK-në, për nder të Ditës së Çlirimit, atë që ka përjetuar.
“Jemi zgjuar herët në mëngjes me 5 mars nga zhurma e tankeve”, thotë Besarta Jashari “Luftimet nuk u ndalën deri me 7 mars”
Besarta Jashari tregon se lufta me forcat serbe dhe familjes së saj nuk u ndal, derisa Hamzë Jashari, Adem Jashari, Shaban Jashari e të gjithë djemtë e familjarët e tjerë, filluan të vriten, në këtë betejë.
“Serbët filluan me tanke të gjuajnë në drejtim të kësaj dhome, ku shumica u vranë këtu”, rrëfen Besarta, tregimin e vetëmohimit të një familje për liri.
Ajo thotë se ka shumë momente të rënda që ka përjetuar në ato tri ditë betejë, por një e veçon.
“Momenti më i rëndë ka qenë kur e kam lënë Blerinën, motrën time të vogël e nuk ka mundur ta shpëtoj”, ka rrëfyer ajo. /Kosovarja/