Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një incident që ka ndodhur sot në Spitalin Rajonal të Gjakovës ‘Isa Grezda’, ku pas një fjalosjeje pacient-infermiere, ishte përfshirë edhe bashkëshorti i kësaj të fundit. Ai u arrestua pasi ka kërcënuar me vrasje pacientin me të cilin pati konflikt verbal bashkëshortja e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personi që u arrestua është Vllaznim Syla, 43-vjeçar.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja
Ditën e sotme, infermierja e spitalit të Gjakovës ka hasur në telashe me një pacient i cili ishte i hospitalizuar. Për këtë arsye ajo pas tensionimit të situatës, ka thirrur bashkëshortin e saj, Vllaznim Syla, që t’i dalë në ndihmë.
Me të arritur në spital, Syla ka kërcënuar me fjalë të rënda e madje ka tentuar edhe ta sulmojë pacientin i cili kishte pasur telashe me bashkëshorten e tij, por që ishte ndalur nga dëshmitarët që ishin të pranishëm.
Ai ishte drejtuar pacientit të shtrirë me fjalët ‘të vras qëtu, kom me ta gjetë shpinë ku e ki e ku s’e ki’.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Sinjali