Shoferët e kompanive që kryejnë shërbime postare shpesh ballafaqohen me rrezik gjatë punës së tyre. Kjo pasi që me vete bartin shuma të mëdha parash, të cilat mund të jenë cak i hajnave. E një rast i tillë ka ndodhur dje rreth orës 16:00 në fshatin Shkabaj të komunës së Obiliqit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se e gjithë ngjarja ka ndodhur shumë shpejt, ku shoferi i postës së shpejtë ‘GEP’ u përball me dy persona të cilët kishin dalë nga vetura e tyre dhe ia kishin grabitur të gjitha paratë e pazarit ditor.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për një shumë rreth 6 mijë euro para të gatshme. Posa kanë kryer vjedhjen, dy personat e dyshuar të cilët ishin me një veturë e cila nuk është identifikuar ende, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Me të denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ku ndër të tjera kanë kontrolluar edhe pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë.
Të njëjtit kanë intervistuar punëtorin e ‘GEP-it’, teksa njësitë hetimore janë vënë në lëvizje që t’u bien në gjurmë personave që terrorizuan shoferin.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me të gjitha detajet e reja lidhur me rastin.
/GazetaSinjali/