Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar, pas raportimeve se gjatë Qeverisë Kurti është rritur importi nga Serbia.
Sipas këtyre raportimeve, nga viti 2019 deri në vitin 2021, importi i Kosovës nga Serbia është rritur për 300 milionë euro, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, këto të dhëna po i mohon zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili thotë se importet nga Serbia po krahasohen me vitin 2020, kur kishte masa të theksuara kufizimesh, shkaku i pandemisë.
Kryeziu ka thënë se nëse krahasimet bëhet me vitin 2017 apo 2018, do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia, për rreth 32%.
Këtu Kryeziu ka përmendur rritjen e inspektimeve dhe inkasimit të doganave, si dhe mbylljes së rrugëve jo-legale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në veri të vendit.
“Një javë i krahasojnë importet nga Serbia me vitin 2020 kur kishte masa të theksuara kufizimesh sa që shkaku i pandemisë edhe kufinjtë u patën mbyllë. E kur nuk u duket e mjaftueshme, i krahasojnë me vitin 2019 kur ishte vendosur tarifa 100%. Atë vit, së paku zyrtarisht importi kishte rënie, por raftet e marketeve vazhdonin të ishin të mbushura me mallra serbe, meqë çka më parë futej zyrtarisht, kishte filluar të hynte si kontrabandë”, ka shkruar Kryeziu.
Ai tutje thotë se “assesi nuk i sheh tek bëjnë krahasime me vitet 2017 apo 2018, vite normale të shkëmbimeve tregtare. Sepse pastaj do të detyroheshin të flisnin për rënie reale të importit nga Serbia për rreth 32%, respektivisht 20% – edhe pas rritjes së gjithëmbarshme të importit, rritjes së inspektimeve dhe inkasimit të doganave si dhe mbylljes së rrugëve jo-legale që përdoreshin për kontrabandë, sidomos në veri të vendit. Në vitin 2017, Serbia ishte në vendin e parë prej nga ne importonim, ndërkaq në vitin 2021 dhe këtë vit zë vendin e katërt”.
Sipas tij, rrallë herë flasin për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare, në veçanti me vendet mike si Gjermania, Turqia, e Shqipëria. Aq më pak për rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë.
“Në Shqipëri e nga Shqipëria, ne sot eksportojmë dhe importojmë më shumë se çdo herë më parë“, ka shkruar Kryeziu.
/GazetaSinjali/