Krahas virozave të stinës, mjekët pediatër po përballen edhe me përhapjen e variçelës, ose siç njihet në popullatë lia e dhenve.
Mjekja pediatre e spitalit, Hygeia Gjeorgjina Kuli, thotë se kjo sëmundje po shoqërohet edhe me komplikacione te fëmijët.
“Pak a shumë kemi një përsëritje të përvitshme të një shtimi të rasteve në këtë periudhë. Ajo çfarë kemi vënë re kësaj radhe është që përveç variçelës, që është me temperaturë dhe me ato puçrat me ujë në të gjithë trupin, ka pasur dhe raste shumë me komplikacione”, tha Kuli.
Ajo tutje tregoi se cilat janë këto komplikacione?
“Në radhë të parë mund të jetë prekja e trurit, që është edhe komplikacioni më i rëndë. Kryesisht i trurit të vogël, pra fëmija fillon të ketë çrregullim në ecje, nuk mban dot ekuilibrin, ose nuk arrin të artikulojë mirë fjalët. Kjo ndodh rreth 1-2 javë pas kalimit të variçelës. Një komplikacion shumë i shpeshtë gjatë kësaj periudhe që kemi vënë re, është infektimi i elementeve të variçelës. Këto elemente të variçelës të shkaktuara nga vetë virusi, për një arsye apo për një tjetër mund të çahen dhe bien në kontakt me vetë mikrobet e lëkurës, dhe shkaktojnë infeksione të rënda të lëkurës”, tha ajo.
Mjekja tregon se kur prindërit duhet ti drejtohen menjëherë mjekut, shkruan abcnews.
“Të kemi parasysh që nëse një variçelë zgjat më shumë se një javë, temperatura vazhdon, dhe këto elementë që ne shohim në lëkurë bashkohen njëra me tjetrën, dhe japin vula të mëdha, kjo është një sinjal alarmi. Në radhë të parë duhet të shkojnë tek mjeku i familjes, dhe më pas sipas sistemit të referimit shkohet edhe në spital”.
Në spitalin Hygeia pavioni i pediatrisë ofron shërbim të specializuar për të gjithë vogëlushët. Prindërit mund të bëjnë konsulta çdo ditë me mjekët më të mirë.
/GazetaSinjali/