Stuhi e shkarkime rrufesh, parashikimi i motit për sot

- in Lifestyle

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot dhe nesër pritet të ketë stuhi, shi e shkarkime rrufesh në vendin tonë, raporton Sinjali.

Sipas IHMK-së, fushat e fuqishme ciklonike të cilat kanë përfshirë vendin, vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, duke krijuar kushte për mot me intervale të shkurta me diell dhe vranësira konvektive të cilat gjatë ditës do të shoqërohen me reshje shiu me stuhi dhe shkarkime rrufesh.

“Reshjet me intensitet më të lartë priten në jug, jugperëndim, perëndim dhe veriperëndim të vendit. Në vende të kufizuara ekziston rrezik për breshër. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga juglindja, perëndimi dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë. Qytetet për shkak të reshjeve të shpejta mund të kenë problem me vërshime.”

IHMK ka apeluar te qytetarët që në kohën kur fillojnë reshjet me stuhi, të qëndrojnë brenda lokaleve, shtëpive dhe vendeve tjera të sigurta.