Gjendja e pacientit të dyshuar me Lijën e Majmunit i cili është shtruar në një repart të veçantë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është stabile dhe drejt përmirësimit.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj.
Sipas tij, gjendja e pacientit të dyshuar për Lijën e Majmunit është duke shkuar drejt përmirësimit.
“Gjendja e pacientit është stabile. Ka përmirësime”, ka thënë Vishaj.
Ai po ashtu theksoi se janë duke pritur rezultatet e mostrave të dërguara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
“Jemi duke pritur rezultatet, të cilat me kohë do t’i publikoj IKSHPK”, tha ndër të tjera Vishaj.
Ndërkohë, mostra e rastit të parë të dyshuar për Lijën e Majmunit në Kosovë është dërguar të martën për testim (analiza laboratorike) në laboratorin e OBSH-së, në Holandë.
Zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Era Pireva në një prononcim për Telegrafin një ditë më parë kishte thënë se mostra planifikohet të dërgohet të martën me ndihmën e OBSH-së për në laboratorin referent për patogjen me rrezik të lartë.
“Mostrat nga pacienti i dyshuar me MNKPOX është planifikuar të nisen sot me ndihmën e OBSH-së për në laboratorin referent të OBSH-së për patogjen me rrezik të lartë në Holandë. Nuk kemi ende informata se kur pritet të pranojmë rezultatet pasi që të arrijnë mostrat në Holandë”, pati thënë Pireva.
Ndryshe, ditë më parë është raportuar për një rast të dyshimtë me Lijën e Majmunit në Kosovë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, pos të dyshuarit, do të mbikëqyreshin edhe rastet e kontaktit të tij.
“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, më datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me Lijën e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.
Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK më datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, kishte bërë të ditur MSH.
“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.