Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të sulmit ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhi dje në fshatin Gllarevë të Klinës, pas një incidenti ku u përfshinë disa qytetarë, të cilët penguan edhe inspektorët komunalë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Në vendin e ngjarjes intervenuan disa njësi policore, teksa dy persona përfunduan në prangat e Policisë.
Sinjali mëson se 38-vjeçari që shpërfilli urdhrat e Policisë dhe sulmoi një zyrtar policor është Artan Haxhaj, i cili është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Si ndodhi rasti?
Sinjali ka mësuar se gjithçka ndodhi pasi u kërkua ndihma e Policisë për një incident që po ndodhte në këtë fshat, motiv i së cilës ishte ndërtimi i një muri. Me të arritur njësia policore në vendin e ngjarjes, bashkë me inspektorët komunalë, dy qytetarëve iu dha urdhri që t’i ndërpresin punimet meqë rasti ishte i kontestueshëm mes palëve të përfshira.
Gjatë intervenimit nga ana e inspektorëve, për ta vendosur shiritin, të njëjtit janë penguar nga një qytetar, i cili përveç që nuk përfilli urdhrin e policëve, ai edhe i sulmoi ata. Në momentin që një zyrtar policor i kërkoi që të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të mos i pengojnë inspektorët në kryerjen e punës së tyre, njëri nga të dyshuarit i mllefosur iu vërsul policit.
Sipas burimeve të Sinjalit, i njëjti e grushtoi zyrtarin policorë, të cilit i shkaktoi lëndime trupore. Për t’i vënë nën kontroll dhe për të parandaluar tensionimin e situatës edhe më shumë, Policia arrestoi dy të dyshuarit, në asistim me një njësi policore shtesë.
Dy të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe më pas njëri prej tyre përfundoi në ndalim policor, prej 48 orësh, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit.
Ndaj tyre, Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/