Një aksident i rëndë ka ndodhur sot rreth orës 11:30 në rrugën ‘Idriz Seferi’ në qytetin e Gjilanit, ku një veturë ka goditur për vdekje një këmbësor.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se viktima është Mehmet Vranovci.
Sinjali mëson se i ndjeri kishte qenë duke kaluar nëpër vendkalimin e këmbësorëve kur ishte goditur nga një veturë e cila po lëvizte në drejtim të qendrës së qytetit.
Si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, 75-vjeçari është dërguar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Gjilan, por që i njëjti nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, me ç’rast mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Me vendim të prokurores, shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndryshe rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se njësiti i trafikut rrugor janë duke i hetuar shkaqet dhe rrethanat se si ka ndodhë aksidenti.