Ky është kamerieri që u arrestua pasi ia dorëzoi shefit 400 euro pazar ditor në para false

- in Lajme

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësia në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, kanë zhvilluar një aksion në fshatin Makresh të komunës së Novobërdës, që ka rezultuar me një person të arrestuar dhe sekuestrimin e 400 eurove që dyshohen të jenë të falsifikuara, raporton Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personi që ra në prangat e Policisë nën dyshimet për falsifikim të parasë, është Shkodran Jahiu 24-vjeçar.

Policia ka sekuestruar paratë e falsifikuara, teksa po ashtu me vendim të prokurorit ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e Jahiut.

24-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Me vendim të prokurorit, Shkodran Jahiut i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.