“Kujdes z.kryeministër” – Porosia e Remit për Kurtin

- in Lajme

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i cili kishte thënë se kryeministri Albin Kurti ka qenë ushtar në zonën që ai e ka udhëhequr, e ka paralajmëruar sot atë që të ketë kujdes ndaj veteranëve.

Komandant Remi i ka thënë Kurtit që të mos guxojë të bëjë gabime ndaj veteranëve, për të cilët ka thënë se janë kategori e vlefshme e shoqërisë.

“Kujdes z. Kryeministër! Jeni duke shkuar aq larg me gabime, sa që të përjashtoni veteranët e UÇK-ës nga Ligji për Paga. Nuk e kuptoj mendësinë tuaj dhe të bashkëpunëtorëve që ke afër, se si merrni guximin të bëni veprime që kuptohen si poshtërim dhe përjashtim, të kësaj kategorie të vlefshme të shoqërisë aktuale në Kosovë.”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se Kurti duhet ta përmirësojë gabimin dhe veteranët e UÇK-së të mos përjashtohen nga rritja e pagës minimale.

“I nderuar Albin, dua të besoj se je Kryeminstër për të gjithë qytetarët e Republikës. Udhëheqni me Qeverinë dhe po ashtu keni shumicën në Kuvendin e Kosovës. Pra, është në fuqinë tuaj të korrigjoni këtë gabim. Sigurisht se përgjegjësia do të bie vetëm tek ju, për të mirë apo për gabimin eventual. Unë ju dërgoj kërkoj që të keni kujdes. Përmirësojeni Shpresoj që me veprimin tuaj për Ligjin për Paga, ta demantoni përshkrimin për figurën tuaj si Kryeministër kundër veteranëve të UÇK-ës.”, ka shkruar ai në Facebook. /Llapi.info/