Gazeta Sinjali dje raportoi se si Policia zbuloi në një minibus në fshatin Milloshevë të Obiliqit 18 shtetas të huaj, të cilët po transportoheshin pa ndonjë dokument identifikimi. Shoferi i minibusit u arrestua, ndërkohë që u verifikua se migrantët që u gjetën janë nga Siria, Egjipti dhe Iraku.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se shoferi i automjetit ku u gjetën migrantët që po transportoheshin është Rinor Peci, i cili është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Ndërsa shtetasit e huaj pas intervistimit nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Prishtinë janë dërguar në qendër të azilit.
Në bazë të informatave të para që janë mbledhur, 18 shtetasit e huaj, në mënyrë të organizuar kanë ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia, duke paguar secili mbi 5 mijë euro që të udhëtojnë përmes Kosovës, Shqipërisë e Serbisë, e ku cak kanë pasur shtetet e BE-së.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazetasinjali/