Çdo ditë në Kosovë raportohen numër i madh i rasteve të dhunës në familje, ku zakonisht viktima janë gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
E një rast i tillë është raportuar të premten, ku nënë e vajzë kanë denoncuar në Polici bashkëshortin, respektivisht babain e tyre për dhunë në familje.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja kishte ndodhur në fund të muajit maj, ku 55-vjeçari i dyshuar kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur.
Fillimisht ai kishte ofenduar me fjalë të rënda bashkëshorten dhe vajzën e tij, por që më pas gjithçka kishte eskaluar, pasi që i njëjti ka tentuar t’i godas me thikë që të dyja.
Për fatin e mirë të të dyjave, gjithçka përfundoi pa pasoja, pasi që asnjëra nga to nuk u lëndua.
Por kjo nuk i ndaloi ato që rastin ta denoncojnë në Polici, me ç’rast palët e përfshira janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me vendim të prokurorit, ndaj 55-vjeçarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ndërsa viktimat janë udhëzuar që të pajisen me urdhërmbrojtës nga Gjykata kompetente.
/GazetaSinjali/