Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), duke thënë se do të ishte padrejtësi nëse kjo e fundit nuk ua vazhdon kontratat mjekëve, infermierëve, laborantëve dhe stafit mbështetës, të cilët janë përballur me pandeminë COVID-19, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Zemaj, ka thënë se Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor.
“Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor! Largimi i kuadrit më besnik dhe më të mirë që u përball me pandeminë, do të ishte padrejtësi. Për fat të keq, kjo mund të ndodh, të gjithë këta mund të mbesin pa punë, gjatë ditëve në vijim, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua vazhdon kontratat!”, ka thënë Zemaj.
Tutje, ai ka thënë se këta të rinj dhe të reja nuk duhet lejuar që t’i drejtohen ambasadave që të dalin jashtë Kosovës, ose siç ka thënë deputeti i LDK-së “të mbesin rrugëve”. /gazetametro.net