Avokati i Thaçit në Speciale, Gregory Keohe ka kërkuar lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit të Kosovës, pasi që sipas tij, kanë pushuar të gjitha arsyet që ai tanimë të mbahet i ndaluar në Hagë.
Keohe me këtë rast ka kërkuar që në një vijë me garancën, Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, të ftohet në një seancë dëgjmore ku do të merrej një vendim për lirimin apo jo të ish-drejtorit politik të UÇK-së, shkruan lajmi.net.
“TË thirret një seancë ose seanca dëgjimore dhe urdhëroni praninë e individëve përkatës duke përfshirë Drejtorin e Policisë së Kosovës, Kryeshefin e Paraburgimit të Njësisë së Paraburgimit të KS, përfaqësuesit e Qeverive [TË REDAKTUARA], të mbrojtjes dhe anëtarëve të tjerë përkatës të Regjistrit e të diskutoni kushtet e lirimit”, ishte kërkesa e Keohes.
Avokati amerikan i ish-presidentit ka bërë të ditur në parashtresën që e ka parë lajmi.net se ekzistojnë sërish garanca nga shtete të treta për lirimin e Thaçit.
Ai ka kërkuar që lirimi i Thaçit të bëhet në këto shtete, në bazë të kushteve që gjyqtari paraprak konsideron se janë të nevojshme.
“Në alternativë ndaj arrestit shtëpiak në Kosovë, Mbrojtja përsërit propozimin e saj që z. Thaçi të lirohet në territorin e [REDAKTUAR], sipas kushteve që gjykohen të nevojshme nga gjyqtari i procedurës paraprake, në pajtim me nenin 41(11) të Ligjit për KSK-në dhe Rregulli 56(4) i Rregullave. Lirimi i përkohshëm në një shtet të palës së tretë, i zbatuar me sukses në kontekste të tjera të ngjashme, do të shërbente gjithashtu për të anashkaluar shqetësimet e gjyqtarit të procedurës paraprake në lidhje me Policinë e Kosovës dhe nuk do të kërkonte vendosjen e Oficerëve të Paraburgimit të Kosovës”, thuhet në parashtresën e Keohe.
Mbrojtja gjithashtu bën të ditur se më shumë se një shtet kanë dalë garancë për lirimin e ish-presidentit Thaçi, mirëpo që nuk specifikon se cilat janë ato.
“Mbi këtë bazë, Mbrojtja kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake që të thërrasë një seancë dëgjimore për të dëgjuar pikëpamjet e qeverive të [REDAKTUAR] për lirimin e përkohshëm të z. Thaçi në territoret e tyre përkatëse, duke vënë në dukje se z. Thaçi merr përsipër të respektojë çdo kusht të vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake gjatë lirimit në këto shtete të palëve të treta”, thotë Keohe në parashtresën e tij, shkruan tutje lajmi.net.
Nëse propozimi për lirim në shtetet e treta nuk përfillet, avokati i Thaçit ka propozuar edhe kushtet e lirimit në arrest shtëpiak në Kosovë, të cilat gjithashtu ishin refuzuar më herët nga gjyqtari paraprak dhe panelet e Apelit. /Lajmi.net/