“Pash Zotin mos gjuaj bërllok”, del të jetë thirrje e qëlluar për mitrovicasit

- in Lajme

Thirrjen ndaj qytetarëve për të mos hedhur mbeturina vend e pavend rrugëve të qytetit të Mitrovicës, dikush po e bënë në një formë më ndryshe se zakonisht.

Në disa vende afër ndërtesave, shtëpive, apo edhe lokacioneve tjera në Mitrovicë, shihen të vendosura mbishkrime “Pash Zotin mos gjuaj bërllok”, e që sipas qytetarëve, po del të jetë mënyrë e qëlluar dhe e suksesshme.

Leutrim Arifi, banor i lagjes “Miran Hajra” në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress se më herët qytetarët kanë hedhur mbeturina midis rrugëve të lagjes.

Mirëpo, shtoi ai, dikush prej banorëve të lagjes ka vendosur në rrethojën e tregut një letër me mbishkrimin “Pash Zotin mos gjuani bërllok”, dhe tani askush nuk hedhë më mbeturina.

“Përpara këtu ka qenë një kontejner dhe njerëzit kanë gjuajt bërllok. Pastaj e kanë hequr kontejnerin dhe e kanë dërguar te stadiumi, dhe njerëzit kanë vazhduar prapë me gjuajt bërllok. Mirëpo, një njeri i panjohur e ka vënë një letër ku shkruan pash Zotin mos gjuaj bërllok dhe njerëzit më nuk po gjuajnë bërllok. Nuk dihet, është njeri i panjohur, por ka bërë një gjest unik dhe siç shihet, qytetarët janë vetëdijesuar”, ka thënë Arifi.

Asllan Fazliu, banor në njërën prej ndërtesave në rrugën “Xhelal Mitrovica”, thotë se ka një vit që dikush prej banorëve ka vënë një pllakë në mur me përmbajtje të ngjashme, e cila ka pasur efekt pozitiv.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdohet me vënien e pllakave të tilla nëpër lagje, por duhet të ngrihet vetëdija e qytetarëve dhe të mos hedhen mbeturinat aty ku nuk duhet.

“Para një viti ka ndodhur veprimi i një qytetari që unë nuk e di kush është ai, i cili e ka shkruar në mur, duke potencuar me be, dhe duke kërkuar nga banorët që ‘pash Zotin e madhërishëm mos gjuani mbeturina në këtë lagje’. Kjo me siguri ka pasur një ndikim pozitiv, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të vazhdojmë me vënien e pllakave të tilla nëpër qytet… Ne duhet ta formojmë bindjen qytetare dhe të jemi të kulturuar që në realitet mos të hedhim mbeturina aty ku nuk është e përcaktuar me rregulla të komunës”, theksoi Fazliu.

Edhe Fidan Terziqi, banor i njërës prej ndërtesave në këtë lagje, ka pranuar se një mbishkrim i tillë ka vetëdijesuar banorët.

“Po, besoj që po, ka pasur një vetëdijesim të banorëve dhe qytetarëve të cilët kalojnë në këtë pjesë, dhe tash shumë më pak po hedhin mbeturina…Ka pasur plotë mbeturina, sidomos në pjesën përpara edhe prej banesave kanë hedhur, edhe kalimtarët kanë hedhur mbeturina, por tash është më ndryshe”, tha ai.

Në anën tjetër, Ylber Murtezaj, u.d. i zëvendës kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale për Mbeturina “Uniteti” në Mitrovicë, potencoi se në disa pjesë të qytetit, me iniciativën e vetë qytetarëve, janë vendosur mbishkrime me thirrje për mos hedhjen e mbeturinave, të cilat kanë pasur sukses.

“Në disa pjesë të qytetit janë disa mbishkrime, prej të cilave disa ne i kemi vendosur ku ndalohet hedhja e mbeturinave, e disa i kanë vendosur qytetarët me iniciativën e tyre, dhe kjo ka pasur sukses”, sqaroi Murtezaj për KosovaPress.