Gazeta Sinjali raportoi dje për arrestimin e të të rinjve nga Istogu, të cilët u kapën me substanca narkotike, në fshatin Zallq, në orët e mbrëmjes të së mërkurës. Të dyshuarit u kapën derisa ishin ndalur me një veturë në një arë të fshatit, kur Policia i prangosi në flagrancë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se dy të rinjtë që përfunduan në prangat e Policisë janë Mergim Bajramaj, 39-vjeçar dhe Arianit Dervishaj, 25-vjeçar.
Gjatë kontrollimit te veturës, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, Policia gjeti dy qese marihuanë dhe disa cigare e letra që nevojiten për ta mbështjellur substancën.
Për shkak të posedimit të narkotikëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e dy të rinjve për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e sekuestruara me rastin e kontrollit policor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/