Tërheqja e Trustit ndan ekonomistët siç ndau edhe partitë politike: Rrezik po-ja, rrezik jo-ja

- in Ekonomi

Në dy vitet e fundit, kosovarët u përballën me krizë pas krize, të gjitha me pasoja ekonomike, çka u rëndoi edhe më tej jetesën e tyre. U rrit çmimi i rrymës, produkteve bazike, i naftës, udhëtimit, e ndërtimit.

Në 10 për qind ka shkuar inflacioni në Kosovë, përderisa qeveria insiston se në vend ka rritje ekonomike për 10 për qind.

Gati pas secilës krizë, sytë janë kthyer kah thesi i trustit pensional; insistimi ka shkuar deri te tërheqja e 30 për qind të kursimeve.

Partitë opozitare përkrahin një ide të tillë. Bile po tentojnë të kalojnë në Kuvend një projektligj që mundëson tërheqjen e mjeteve nga trusti. Qeveria dhe deputetët e partisë në pushtet po e kundërshtojnë idenë.

Ndërsa disa sondazhe kanë kallëzuar se shumica e qytetarëve janë në favor të iniciativës për tërheqje të kursimeve të trustit. Bile, në ditën kur Komisioni Parlamentar po diskutonte rreth kësaj iniciative, ishte mbajtur një protestë para Kuvendit.

Ekspertët e ekonomisë e të politikave sociale ndahen mes vete. Ca e shohin idenë të rrezikshme e me pasoja për sistemin pensional dhe që, edhe po të tërhiqeshin këto mjete, kjo s’do të ndikonte në përmirësimin ekonomik.

Të tjerë fokusohen te rritja e vështirësive ekonomike të qytetarëve dhe ndërhyrjen e shohin të domodoshme, qoftë edhe përmes lejimit të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të trustit.

Artan Mustafa, hulumtues në fushën e politikave sociale, e sheh si të pakuptimtë insistimin e partive opozitare për tërheqjen e mjeteve nga trusti.

“Iniciativa për tërheqje të kursimeve pensionale nga partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, është në kundërshtim me orientimin e tyre ideologjik të djathtë. Partitë e djathta do të pritej normalisht të ishin rojtarë të skemave të këtilla pensionale të marketizuara”, thotë Mustafa.

Profesori universitar shton se nëse lejohet tërheqja deri në 30 për qind, kjo mund të jetë me pasoja për vetë sistemin grumbullues të trustit.

“Tërheqja e re deri në 30% do ta erozionojë shtyllën e kursimeve pensionale dhe me të rrezikon tërë sistemin pensional ekzitues që bazohet në kursime”, insiston Mustafa.

Kundërshtimin e vazhdon kur thotë se paratë që potencialisht mund të shpërndahen, s’do të tërhiqen vetëm nga personat që momentalisht kanë nevojë për ato para, por mënyra se si pretendohet të bëhet shpërndarja, do të shtyjë edhe personat tjerë, që momentalisht s’kanë nevojë, t’i tërheqin kursimet.

“Njerëzit do të tërheqin kursimet nëse u jepet mundësia, jo vetëm se kanë nevojë, por se kanë pak ose fare besim në politikat publike. Si herën e kaluar, nuk ka logjikë dhe argumente bindëse prapa kësaj nisme,” thotë ai.

Ermal Lubishtani, profesor i ekonomisë, mendon se ende s’jemi në fazë ku mund të mendojmë se tërheqja që po pretendohet të bëhet mund të rrezikojë sistemin e trustit pensional të vendit.

“Nuk besoj që kjo tërheqje do të rrezikonte qëndrueshmërinë e trustit, të paktën jo në këtë fazë”,thotë ai.

Mirëpo, sipas tij, nëse kjo praktikë bëhet precedent, atëherë mund të rrrezikohet seriozisht trusti.

“Situata do të mund të rëndohej nëse në vitet në vijim trusti do të pësonte edhe goditje tjera që lidhen me investimet që bën trusti në tregjet e kapitalit”, thotë ai, duke shtuar se një goditje e mundshme nga rënia e bursave mund të jetë më e dëmshme se sa tërheqja e një përqindjeje të caktuar të këyre mjeteve.

Lubishtani thekson se në parim ideja e tërheqjes së kursimeve të trustit s’është ideja e duhur, por tashmë debati politik ka shkuar në një pikë tjetër, janë rritur pritshmëritë e qytetarëve, dhe rritja e kësaj pritshmërie do të ketë edhe ndikime ekonomike.

“Në parim duhet pranuar që nuk është ide e mirë që një fond i paraparë të përdoret pas moshës së pensionimit, të jetë i qasshëm për qytetarë sa herë që vendi të ballafaqohet me periudha inflacioniste apo me periudha kur mund të kemi edhe rënie ekonomike”, thotë Lubishtani.

Mirëpo, sipas profesorit, tashmë jemi në fazën kur duhet të shqyrtohet ideja si e tillë, pasi janë rritë pritshmëritë e qytetarëve se së shpejti mund t’i kenë në dorë disa nga kursimet e pensionit të tyre.

“Sidoqoftë, duhet të pranojmë që në këtë fazë, qytetarët kanë krijuar pritje reale që Kuvendi i Republikës do të miratojë ndryshimet e duhura ligjore dhe do të ofrojë mundësinë që kontribuesit e fondit të tërheqin një pjesë të kursimeve të tyre”, thotë Lubishtani.

Ai insiston se javëve të fundit është rritur presioni i qytetarëve dhe beson se ligjvënësit s’do të jenë në gjendje të refuzojnë këtë kërkesë qytetare. Profesori i ekonomisë insiston se në këtë gjendje ekonomike vendi është edhe për faj të qeverisë, qoftë nga veprimet qoftë nga mosveprimet e saj.

“Së pari, është vërejtur një mungesë e kreativitetit në dizajnimin e masave për ringjallje ekonomike, ka pasur vonesa, mungesë të transparencës, pastaj ka pasur mungesë dhe shpesh injorim të debatit social me sindikatat e punëtorëve”, thotë Lubishtani.

Ai beson se mungesa e ngjalljes ekonomike të vendit, si dhe mosmbajtja e disa premtimeve të qeverisë, si rritja e pagës minimale apo kundërshtimi që qeveria i bëri Këshillit Ekonomik Social, “një trupë shumë e rëndësishme për caktimin e nivelit të pagës minimale”, do të krijojë situatë ku qeveritarët do të tërhiqen nga insistimi i tyre.

“Pra, për të rrumbullakësuar mendimin tim, kam frikë që kemi shkuar larg saqë kostoja e moslejimit të tërheqjes së mjeteve do të jetë, potencialisht, më e lartë se vetë kostoja e tërheqjes së këtyre mjeteve”, parasheh Lubishtani.

Cilatdo qofshin taktikat e qeverisë, Lubishtani merret edhe me ndikimin që paratë e trustit do të kishin në ekonominë e vendit, ku thekson se një pjesë e mirë e këtyre parave do të shkonte për konsum, dhe kjo kryesisht në produktet e importuara.

“Qytetarët duhet të jenë të lirë të përdorin këto mjete varësisht se si ata e shohin të nevojshme. Përveç rritjes së qarkullimit dhe një infuzioni të keshit në tregun e Kosovës, nuk pres ndonjë ndikim afatgjatë nga këto mjete, pikërisht për faktin që do të përdoren kryesisht për shtim të konsumit”,thotë ai.

Ai thotë se në momentin që akterët ekonomikë kanë pritje reale për rritje të të ardhurave, ata menjëherë fillojnë të rrisin konsumin.

“Pra, kam përshtypjen që një pjesë e atij efekti tashmë ka ndodhur dhe nuk pres ndryshim të madh në shkallën e inflacionit që do të mund të lidhej me këtë tërheqje. Shto këtu edhe faktin që ne inflacionin e importojmë nga vendet tjera, pra nga vendet ku ne importojmë më së shumti”, thotë Lubishtani për ndikimin që debati rreth trustit ka pasur në ekonominë e vendit.

Në anën tjetër, profesori Florin Aliu është marrë me pretendimet e ministrit të financave, Hekuran Muratit, për rrijten e inflacionit nga tërheqja e parave të trustit.

“Ideja se tërheqja e 30% nga Trusti do të rrisë inflacionin, tregon se këta njerëz nuk dinë asgjë. Struktura jonë tregtare na sjell inflacion në Kosovë, pasi ne importojmë gjithçka dhe nuk eksportojmë asgjë. Ky fenomen ndodh vetëm kur banka qendrore shtyp shumë para, siç ndodhi gjatë pandemisë me bankën qendrore europiane dhe rezervën federale”,thotë ai.

Ai beson se çka po ndikon në ekonominë e Kosovës është mungesa e ofertës monetare dhe këtë mund ta vërejmë në “bilancet e kompanive ku shesin shumë me llogari të arkëtueshme”.  

“Rasti i Jugosllavisë 1990/94, rasti i Gjermanisë në 1920, Rasti i Venezuelës, Rasti i Zimbabvesë më 2008, janë raste kur bankat qendrore shtypnin shumë para, ama shumë, dhe më pas vjen inflacioni. Banka Qendrore e Kosovës nuk mund të printojë para”, thotë Aliu.

Cilatdo qofshin efektet ekonomike,Artan Mustafa sheh probleme thelbësore në mënyrën se si mbledhet e si funksionon trusti.

“Megjithatë, Kosova nuk duhet pasur iluzione. Paradigma e privatizimit pensional që Kosova e përqafon, tashmë është hedhur poshtë në shume vende të botës për arsyet e ngjashme që i kemi parë këtu – kostoja e lartë e menaxhimit, kthimi i ulët nga investimet dhe kursimi i vogël, i pasigurt dhe shumë i pabarabartë”, thotë profesori i politikave sociale.

Sipas tij, edhe nëse shpërndahen kursimet e trustit, kjo do të prekte vetëm një përqindje të qytetarëve, ndërsa pjesa tjetër do të anashkalohej.

“Ky sistem do të jetë i favorshëm vetëm për 20%-shin e pasur të shoqërisë, të cilin struktura institucionale e Kosovës e favorizon historikisht. Shumë nga shtetet e Europës janë tërhequr nga modelet e këtilla të privatizimit pensional. Fatkeqësisht, nuk po shohim asnjë iniciativë nga Qeveria në drejtim të një reforme që do të krijonte qëndrueshmri të sistemit dhe mbrojtje adekuate të popullatës së moshuar”, thotë ai.

Ai thotë se nga i gjithë debati na dalin dy lëvizje të kundërta.

“Në një anë, opozita që po shtyn në rrënimin e sistemit që vetë ka ndihmuar të ndërtohet dje. Në anën tjetër, pozita që mbron status quo-në pa asnjë preokupim që t’i dalë zot reformava të saj të premtuara progresive. Është shumë e rëndë të thuhet, por këto sjellje janë realisht tipike për shtetet e dështuara (failed states)”, thotë Artan Mustafa./Nacionale