Prizrenasi e bën për spital bashkëshorten/ E godet me shuplaka e ‘stupc’ pse s’i pëlqeu ushqimi që ka përgatitur

- in Lajme

Rastet e dhunës në familje çdo ditë e më shumë janë në rritje, ku zakonisht viktima janë gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarë tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

E një rast i tillë është raportuar dje në Prizren, ku një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj me të cilin bashkëjeton tash e 8 vite.

Sinjali mëson se motivi i zënkës mes çiftit është banal dhe lidhet me përgatitjen e ushqimit, ku për shkak të pakënaqësive, burri 33-vjeçar filloi ta rrahë bashkëshorten e tij.

Për shkak të dhunës që përjetoi, gruaja u detyrua që rastin ta denoncojë në Polici e po ashtu të kërkojë edhe ndihmë mjekësore në Spital si pasojë e lëndimeve që mori nga rrahja.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se gruaja gjatë intervistimit në Polici, ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka goditur me shuplaka si dhe me një shkop druri.

Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me ç’rast është arrestuar personi i dyshuar, i cili e ka pranuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Me vendim të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/