Një fëmijë 9-vjeçar, në fillim të muajit prill ishte përplasur me veturë në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë. Shkelëse ishte ministrja Rozeta Hajdari. Pasi lajmi mori dhenë në media, tek pastaj doli ministrja e pranoi, duke fajësuar viktimën.
Familjarët e vajzës kanë drejtuar ankesë në Inspektoratin e Policisë së Kosovës për devijim të hetimeve nga zyrtarët policorë.
‘’Fëmija m’u përplas në veturë’’, ishte deklarata mbrojtëse e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Policia e Kosovës në njëfar forme e kishte fshehur rastin, duke mos e paraqitur në raportin 24 orësh, siç ndodh me gjitha rastet tjera që ndodhin në territor.
Policia u kritikua sepse nuk dha informacione për këtë aksident, duke ngjallur spekulime se zyrtarët e lartë shtetërorë, në këtë rast ministrja Hajdari, po mbrohen nga ta.
Me dyshimin për devijim të hetimeve, familjarët e viktimës janë ankuar në Inspektoratin Policor të Kosovës. Kjo është konfirmuar për Periskopin.
‘’Ju konfirmojmë se IPK ka pranuar ankesë lidhur me rastin në fjalë. Rasti ështē duke u trajtuar në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave në IPK’’, ka thënë IPK pa dhënë ndonjë detaj shtesë.
Kur jemi tek policia, ky insititucion përpos se me vonesë, kishte thënë detaje të mëngëta për aksidentin.
‘’AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME / Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, këto janë informcionet nga Policia pas 24 orëve që ka ndodhur aksidenti.’’.
Ndërsa Prokuroria e kishte iniciuar rastin në procedurë të kundërvajtjes.
Ndryshe, pas presionit të madh medial, Rozeta Hajdari kishte reaguar tek pas disa orëve për veprimin e vet, duke fajësuar 9-vjeçaren se i ishte përplasur në veturë. Kjo ishte parë me shumë kritikë nga opinioni.
“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas në veturën time. Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit. Ndihem më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi”, ka shkruar ajo. /Gazetametro