Në Kosovë nuk është shënuar ende asnjë rast i Lisë së Majmunit, veçse përderisa kjo sëmundje është konfirmuar në disa vende të rajonit, sot Ministria e Shëndetësisë ka publikuar disa të dhëna, duke njoftuar se periudha e inkubacionit është nga 5 deri në 21 ditë, ndërsa sëmundja nuk përhapet lehtë mes njerëzve.
Si transmetohet Lija e Majmunit?
“Lija e majmunit nuk përhapet lehtë midis njerëzve, por sëmundja mund të merret përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me person të infektuar, duke përfshirë: lëkurën e dëmtuar, kore ose lëngje trupore, pështymë, spërkla – kontakt i zgjatur ballë për ballë, materialet e kontaminuara – p.sh shtrat ose peshqirë të përdorur, kontaktin seksual”, shkruhet në njoftimin e MSH-së.
“Simptomat e Lisë së Majmunit: Simptoma tipike e Lisë së Majmunit është skuqja e lëkurës me flluska në fytyrë, duar, këmbë, gojë dhe organe gjenitale. Skuqja e organeve gjenitale dhe peri-anale është raportuar gjatë kësaj epidemie. Skuqja mund të shoqërohet me ethe, ndjenjë shqetësimi ose sëmundje, dhimbje koke, lodhje dhe ënjtje të nyjave limfatike. Ju jeni infektues përderisa keni simptoma të sëmundjes.”
Çfarë duhet të bëjmë nëse mendoj se kam Linë e Majmunit?
“Nëse keni skuqje të lëkurës, të shoqëruar me ethe ose ndjenjë shqetësimi ose sëmundje, bisedoni me mjekun tuaj bëni testin për sëmundjen. Nëse dyshoni ose e konfirmoni se keni Linë e Majmunit, duhet të izoloheni derisa ndërrimet në lëkurë të kenë rënë.
Gjatë kësaj periudhe, ju mund të merrni trajtim për të lehtësuar simptomat e Lisë së Majmunit. Kushdo që kujdeset për ju duhet të marrë masat e duhura mbrojtëse personale”, thuhet tutje në njoftim.
Si të mbrohemi nga Lija e Majmunit?
“Secili në kontakt të ngushtë me person të infektuar, duke përfshirë kontaktin seksual, mund të sëmuret nga Lija e Majmunit. Merrni hapa për të mbrojtur veten gjatë epidemisë aktuale në Evropë, duke shmangur kontaktin me lëkurën ose ballë për ballë me këdo që ka simptoma, praktikuar seks të sigurt, mbajtur duart e pastra”
Institucionet relevante kanë deklaruar se deri më tash në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i Lisë së Majmunëve.