Nuk janë të rralla rastet kur persona të papërgjegjshëm mashtrojnë qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim për përfitime materiale.
E një rast i tillë është raportuar në fillim të këtij viti në Prishtinë, ku një person kishte deklaruar se përmes mashtrimit dikush ia mori hiç më pak se 19 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se pas punës hetimore të Policisë së Kosovës, dje është arritur që të kapet personi i dyshuari, i cili është dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson se gjithçka nisi atëherë kur 44-vjeçari ishte takuar me 27-vjeçarin i cili u prezantua si zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
I dyshuari i kishte premtuar që do t’i ndihmonte që të fitojë grante bujqësore në vlerë rreth 200 mijë euro, por kjo do t’i kushtonte disa mijëra euro 44- vjeçarit.
Gjatë gjithë kohës që po priste ‘t’i rregullohet’ puna për të fituar grante nga MBPZH, prishtinasi i kishte dhënë 19 mijë euro 27-vjeçarit.
Pas arrestimit nga Policia, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh. /Gazetasinjali