Marketi INTEREX në Mitrovicë është denuar nga Inspeksioni i Komunës së Mitrovicës me një gjobë prej 400 eurosh, pasi të njejtit mashtruan për çmimin e çamçakëzit me shije shalqiri e dredhëze, shkruan Mitropol.
Gjersa në rafte çmimi figuronte 0.10 cent, qytetari u detyrua të paguajë ne arkë 0.14 cent për produkt.
Kjo gjobë u shqiptua pas ankesës së pranuar nga ana e vetë konsumatorit, me ç’rast inspektori i tregut ka vërtetuar se kishte mospërputhje të çmimit të reklamuar të produktit dhe atij që është paguar në arkë.
“Çmimi i reklamuar i produktit “Çamçakëz me shije shalqiri” me kodin 308446, “Çamçakëz me shije dredhëz” me kodin 308444 është deklaruar me çmim 0.10 euro, ndërsa në arkë konsumatori ka paguar me çmim 0.14 euro. Për shkak të kësaj mospërputhjeje, në bazë të ligjit Nr. 06/L-034 për mbrojtje të konsumatorit, Inspekcioni i ka shqiptuar gjobën biznesit”, thuhej në vendimin e drejtorisë së Inspekcionit.
E këtë denim marketi nuk e ka ‘nijet’ ta paguajë nga arka e vete.
Një nga punëtorët në kushte anonimiteti ka thënë për “Mitropol” se marketi ka vendosur që dëmin në vlerë prej 400 eurosh që e morën si denim, ta paguajnë duke ua ndalur ca para pagave të punonjësve për këtë muaj.
Ai ka bërë thirrje që me rastin të merret Inspektorati i Punës dhe ta dënojë marketin për shkeljen e të drejtave të punëtorëve./Mitropol/