Murati për tërheqjen e Trustit: Qeveria po ndërmerr masa, por opozita vazhdimisht i pengon e kundërshton ato

- in Lajme

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati është deklaruar sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së opozitës për votimin e ndryshimit të ligjit për tërheqjen e mjeteve pensionale nga Trusti.

Murati tha se kriza e inflacionit ka kapluar vendin, por edhe gjithë botën.

Ministri tha se vazhdimisht po thuhet se Qeveria nuk po bën dhe s’ka bërë asgjë e që duhet të tërhiqet Trusti, por se kjo s’është e vërtetë.

“Po thuhet se Qeveria s’ka bërë asgjë dhe duhet të tërhiqet Trusti.Në kriza të ngjashme çka duhet të bëhet? Qeveria duhet të mbështes ata që kanë nevojë më së shumti. Pra kategoria që ka më së shumti nevojë janë rastet sociale.E Qeveria për tërë vitin që nga 1 janari kemi rritur buxhetin për mbështetje ndaj tyre, pra për 30%, kemi ridizajnuar asisoj që ata që kanë më shumë fëmijë të fitojnë më shumë. Pra kemi 30% rritje, e për prill kishim pagesë të dyfishtë, ata që merrnin 150 euro, në prill 300.Ata që morën 250 morën 500, gjë që s’ka ndodhur kurrë më parë.E ku është sfida te këto familje? Kemi vetëm 26 familje që pranojnë asistencë asociale, e disa familje përjashtohen për shkak të një kriteri të padrejtë ku kërkohet që ata të kenë një fëmijë nën moshën 5 vjeçare që të mund të pranojë skemë.”, tha Murati, shkruan lajmi.net.

Ministri theksoi se kanë nisur një reformë për asistencën sociale, e që është marrëveshja me Bankën Qendrore, por që në Kuvend opozita vazhdimisht e ka refuzuar që ta votojë atë.

“Pra kur po flasim për me ndihmu e kush ka nevojë më së shumti, ju po refuzoni.Pra ne kemi reformën, e ju po e refuzoni. E dilni thoni ne po i ndihmojmë qytetarët. Kategoria e dytë janë ata që punojnë, por i kanë pagat e vogla. Pra pagë minimale, ose afër saj.Ne kemi sjellë ligjin për pagën minimale në këtë Kuvend, së është votuar. Lëshohet salla e të tjera. Votoni ligjin për pagën minimale sepse ata persona me këtë pagë me automatizëm rritet, por edhe ai që e ka 250 euro patjetër që edhe ky do të rritet.Edhe ligjin e pagave njëjtë keni me korigju, njëjtë bëni ju pra vetëm për poenta politikë.E për të arritur këtë jeni në gjendje të shkatërroni, e krijoni kolaps në gjithë sistemi. Ka shumë masa që Qeveria po i ndërmerr por tendenca e juaj është ti kundërshtoni e pengoni ato.”, shtoi ai./Lajmi.net/