Virusi i rrallë, apo i ashtuquajturi lia e majmunëve, po përhapet në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Më shumë se 100 raste të infeksionit viral janë konfirmuar në Belgjikë, Francë, Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë, Suedi, Holandë dhe Britani, shkruan Gazeta Metro.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se mund të ketë rritje të rasteve me linë e majmunëve, për shkak organizimit më të madh të festave në muajt e verës.
Lia e majmunëve, më e zakonshme në perëndim dhe qendër të Afrikës, shkakton sëmurje të lehtë, të karakterizuar me temperaturë dhe gunga në trup.
I identifikuar fillimisht në majmunë, sëmundja përhapet në raste të kontaktit shumë të afërt dhe rrallë ka dalë jashtë Afrikës.
Mirëpo cilat janë shenjat dhe simptomat e këtij virusi?
CDC dhe OBSH, kanë treguar se me çfarë simptoma manifestohet ky virus, transmeton Metro.
Tek njerëzit, simptomat e lisë së majmunit janë të ngjashme, por më të lehta se simptomat e lisë. Lija e majmunëve fillon me ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe rraskapitje. Dallimi kryesor midis simptomave të lisë dhe lisë së majmunëve është se lija e majmunëve shkakton ënjtje të nyjeve limfatike (limfadenopati) ndërsa lija jo. Periudha e inkubacionit (koha nga infeksioni deri te simptomat) për linë e majmunit është zakonisht 7-14 ditë, por mund të variojë nga 5-21 ditë.
Sëmundja fillon me: Ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore, dhimbje shpine, nyjet limfatike të fryra, të dridhura, lodhje.
Brenda 1 deri në 3 ditë (ndonjëherë më gjatë) pas shfaqjes së etheve, pacienti zhvillon një skuqje të lëkurës, që shpesh fillon në fytyrë dhe pastaj përhapet në pjesë të tjera të trupit.
Lezionet përparojnë nëpër fazat e mëposhtme përpara se të bien: Makulat, Papulat, Vezikulat, Pustulat, Skajet.
Sëmundja zakonisht zgjat 2-4 javë. Në Afrikë, lija e majmunëve është treguar se shkakton vdekjen në 1 në 10 persona që preken nga kjo sëmundje.
Rastet e rënda ndodhin më shpesh tek fëmijët dhe lidhen me shtrirjen e ekspozimit ndaj virusit, gjendjen shëndetësore të pacientit dhe natyrën e komplikimeve. Mangësitë themelore të imunitetit mund të çojnë në rezultate më të këqija.
Megjithëse vaksinimi kundër lisë ishte mbrojtës në të kaluarën, sot personat më të rinj se 40 deri në 50 vjeç (në varësi të vendit) mund të jenë më të ndjeshëm ndaj lisë së majmunëve për shkak të ndërprerjes së fushatave të vaksinimit të lisë në mbarë botën pas çrrënjosjes së sëmundjes. Komplikimet e lisë së majmunit mund të përfshijnë infeksione dytësore, bronkopneumoni, sepsë, encefalit dhe infeksion të kornesë me humbje të shikimit. Shkalla në të cilën mund të ndodhë infeksioni asimptomatik nuk dihet, transmeton Metro.
Raporti i rasteve të vdekshmërisë së lisë së majmunëve historikisht varion nga 0 në 11% në popullatën e përgjithshme dhe ka qenë më i lartë tek fëmijët e vegjël. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%.
A rrezikohet Kosova nga lija e Majmunit?
Infektologu Ilir Tolaj thotë se Kosova rrezikohet, por s’ka vend për shqetësim.
Tolaj në një prononcim për Periskopin tha se lija e Majmunëve është një infeksion më i lehtë dhe shkalla e vdekshmërisë është shumë e vogël.
Ai paralajmëroi se Kosova rrezikohet nga lija e Majmunëve, por bëri thirrje se nuk ka nevojë që të bëhet panik dhe se sipas tij ky më shumë është një studim mjekësor sesa problem për shëndetin publik.
“Kosova nuk është vend i izoluar në botë, prandaj çdo gjë që ndodh në mënyrë epdiemike ose pandemike në botë mundet me u rreziku edhe Kosova, por as situata në botë nuk është e atillë për me u shqetësu Kosova e ndonjë vend i botës. Është më shumë një kuriozitet mjekësor sesa që është problem i shëndetit publik dhe problem mjekësor”, shtoi Tolaj.
Kujtojmë se rastet e para me lijën e majmunëve janë shfaqur në Angli, Portugali, Spanjë, Suedi e me shtetin në kufi të Shqipërisë, Italinë. /gazetametro.net