Lija e majmunëve është infeksioni më i ri me të cilin kanë filluar të luftojnë disa nga vende të Evropës, madje kjo është ka nxitur shqetësim edhe për kosovarët duke qenë se virusi ka mbërritur shumë afër vendeve përreth.
Infektologu Ilir Tolaj thotë se Kosova rrezikohet, por s’ka vend për shqetësim.
Tolaj në një prononcim për Periskopin tha se Lija e Majmunëve është një infeksion më i lehtë dhe shkalla e vdekshmërisë është shumë e vogël.
“Lija e majmunëve pavarësisht që është e ngjashme më lijën e madhe e cila është zhdukur tani nga sipërfaqja e dheut falë vaksinimit masiv që është bërë në të gjithë botën, dallon shumë nga kjo e fundit meqenëse është një sëmundje shumë më e lehtë, nuk ka vdekshmëri ose ka një vdekshmëri jashtëzakonisht shumë të vogël dhe tërhiqet brenda një ose dy javësh, kështu që nuk konsiderohet që është një sëmundje e rrezikshme…
Simptomat janë të ngjashme me Lijën e Madhe(Variola Veren), që do të thotë shfaqen ndryshime në lëkurë, por për dallim nga lija e madhe që ka pasë plogështi, anoreksi tek Lija e Majmunëve simptoma që vërehet më shumë është ndryshimeve në lëkurë…, tha Tolaj.
Tolaj paralajmëroi së Kosova rrezikohet nga Lija e Majmunëve, por bëri thirrje se nuk ka nevojë që të bëhet panik dhe se sipas tij ky më shumë është një studim mjekësor sesa problem për shëndetin publik.
“Kosova nuk është vend i izoluar në botë, prandaj çdo gjë që ndodh në mënyrë epdiemike ose pandemike në botë mundet me u rreziku edhe Kosova, por as situata në botë nuk është e atillë për me u shqetësu Kosova e ndonjë vend i botës. Është më shumë një kuriozitet mjekësor sesa që është problem i shëndetit publik dhe problem mjekësor”, shtoi ai.
Tutje Tolaj tha se nuk ka gjasa që Kosova të hyjë në izolim sepse Lija e Majmunëve nuk përhapet aq lehtë si Covid-19.
“Jo, natyra e infeksionit është e atillë nuk përhapet aq lehtë si me Covidi-19 ose me Variola Veren (lijen e madhe), prandaj në këtë aspekt vendet ku po kanë raste si Portugalia me më shumë raste nuk janë duke aplikuar masa strikte, përveç izolimit të atyre që kanë shenja të sëmundjes”, përfundoi Tolaj.
Ai po ashtu ka theksuar se mjekësia në botë tani duhet ta studiojë në disa pika virusin e ri në mënyrë që të ndërprehet përhapja e infeksionit.
“Është sëmundje e rrallë e cila kur shfaqet zgjon një interesim, prandaj për botën është me rëndësi meqenëse është një sëmundje e rrallë e cila është shfaqur dhe me e pa se si po ndodh përhapja. Cilat kategori të njerëzve me shumë po atakohen dhe në çfarë mënyre po përhapet, a kanë lidhshmëri këto raste mes vete në mënyrë që të ndërpritet zingjiri i përhapjes së mëtejme. Por, në aspektin e shëndetit publik as tash në botë as për Kosovën nuk është ndonjë problem i cili duhet të merret me një mënyrë shumë serioze dhe me panik shumë të shtuar”, tha ai.
Kujtojmë se rastet e para me Lijën e Majmunëve janë shfaqur në Angli, Portugali, Spanjë, Suedi e me shtetin në kufi të Shqipërisë, Italinë. /Gazetametro