Ky është i arrestuari për 17 kg drogë, kërkohej nga Shqipëria e Italia

- in Lajme

Policia e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një operacion të koduar si “Rrufeja” kundër drogës në Prishtinë, që rezultoi me një person të arrestuar dhe konfiskimin e rreth 17 kg drogë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se shtetasi i Shqipërisë që u arrestua gjatë këtij aksioni është Aleksandër Kelmendi, 54-vjeçar.

I dyshuari u kap me 16.780 kg substancë narkotike të llojit marihuanë, raporton Sinjali.

“Bazuar në urdhëresën e organeve të drejtësisë operacioni policor ka vazhduar me kontrollimin e lokacionit ku i njëjti banonte, me ç‘rast janë konfiskuar një valigje me (31) paketime substancë narkotike, një qese e najlonit me substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, ku pesha totale kishte arritur rreth 16.780 kg, si dhe janë konfiskuar para kesh (100 euro), (2) telefona celularë, (2) pasaporta të Shqipërisë, (1) letërnjoftim i Kosovës, (2) patentë shoferë, njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Italisë.”

Sipas Policisë, i njëjti dyshohet se është i kërkuar edhe nga autoritetet e Shqipërisë dhe Italisë.

“Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.“, njoftoi Policia

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/