LIVE: Nis protesta e punëtorëve të shtetit, kërkohet miratimi i Ligjit për Paga

- in Lajme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) sot po mban një protestë në kryeqytet me kërkesën miratimin e Ligjit për Paga, shkruan Gazeta Metro.

Për shkak të kësaj proteste, në të cilën Sindikata e Bashkuara e Arsimit theksoi se do të marrin pjesë edhe punëtorët e arsimit nuk është mbajtur sot mësim në shkolla.

Miratimi i Ligjit për paga, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat e sindikatave.

Kërkesat e tyre janë vazhdimi i pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe; Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Duke qenë se pjesë e BSPK është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) është pjesë e protestës, mësimi në të gjithë vendin nga arsimi fillor deri në universitete është mbajtur sot.

SBASHK ka thënë se kjo pasi të gjithë mësimdhënësit do të nisen drejt Prishtinës në mënyrë të organizuar. Çerdhet do të jenë të vetmet institucione edukativo-arsimore të cilave nuk do t’ju ndërpritet puna.

Ministria e Arsimit ka paralajmëruar të gjithë mësimdhënësit se çdo orë e humbur mësimore do të zëvendësohet, por SBASHK-u ka thënë se asnjë orë nuk do të kompensohet dhe për dëmin e shkaktuar nxënësve përgjegjëse është ekzekutivi.

Protestuesit janë grumbulluar në sheshin “Zahir Pajaziti” .Masa për në vendgrumbullim do të lëvizë rrugës “Garibaldi” prej Bankës Qendrore në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti” dhe prej Katedrales Shën Nënë Tereza nëpër rrugën “Xhorxh Bush” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.

Për dy orë, nga ora 14:00 deri në ora 16:00 janë paraparë fjalime para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më 12 maj është mbajtur grevë njëorëshe paralajmëruese por Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë lëvizje për të ndryshuar mendjen e sindikalistëve dhe kështu protesta është një tjetër veprim për kërkesat e tyre. Veprime të tjera sindikale janë paralajmëruar nëse Qeveria nuk fton të dialogojë përfaqësuesit e BSPK-së. /gazetametro.net