Ky është 18-vjeçari që vodhi ‘Mercedes G Class’ në Istog, pronari e ndoqi derisa e kapi

- in Lajme

Gazeta Sinjali raportoi sot se si një 36-vjeçar nga Gurakoci i Istogut u ballafaqua me një hajn që tentoi t’ia vjedh veturën luksoze të tipit Mercedes G Class, që e kishte të parkuar prapa lokalit, duke e ndjekur nëpër rrugët e fshatit.

Ky rast jo fort i zakontë ka ndodhur mbrëmë dhe u denoncua menjëherë në Polici, me ç’rast i dyshuari, 18-vjeçar u arrestua. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se i riu që u arrestua është Edison Ademaj.

Si e luajti rolin e policit pronari i veturës?

Sinjali raportoi se në momentin që pronari i veturës u njoftua nga një person se dikush po tenton t’ia ‘avullojë’ veturën, reagimi i tij ishte shumë i shpejtë, duke marrë një veturë tjetër me të cilën e ndoqi pas hajnin.

Ai kishte arritur që në një pikë t’ia bllokojë rrugën veturës së tij që po vozitej nga hajni dhe ta marrë sërish në pronësi.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se i dyshuari ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e hetuesve policorë gjatë intervistimit dhe nuk ka deklaruar asgjë lidhur me rastin.

Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e 18-vjeçarit në kohëzgjatje prej 48o rësh dhe ndaj tij iniciohet rasti ‘Vjedhje’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/