‘Nëse i kallxon najkujt, unë të mbys krejt’/ 28-vjeçari shkon ta marrë me zor gruan, e rrah në sy të prindërve të saj – ia merr djalin

- in Lajme

Rastet e dhunës në familjet kosovare nuk po kanë të ndalur. Pothuajse çdo ditë raportohen dhjetëra të tilla, ku në shumicën prej tyre viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e familjarët e tjerë.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Malush Kosova’ në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një grua 25-vjeçare ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj 28-vjeçar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj saj.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur rreth orës 01:00, ku i dyshuari kishte shkuar me dy prindërit e tij ta marrë bashkëshorten e cila ndodhej për vizitë te familja e saj, por që e njëjta kishte refuzuar të kthehet në shtëpinë e burrit pas një mosmarrëveshje që kishin pasur në telefon.

Burri duke mos mundur t’i përballojë refuzimit nga bashkëshortja e tij, e kishte goditur atë me shuplakë në prani të prindërve të saj, ndërsa babai i tij, në këtë rast vjehrri i 25-vjeçares, e kishte marrë djalin 1 vjeç e gjysmë të çiftit dhe ishte larguar që aty.

Gjithë rastin 25-vjeçarja vendosi ta denoncojë në Polici, ku ndër të tjera deklaroi se ka pasur shumë herë dhunë psikike e fizike nga bashkëshorti i saj, por që asnjëherë nuk kishte guxuar ta lajmërojë Policinë pasi që 28-vjeçari e kishte kërcënuar me fjalët se ‘nëse i kallxon familjes tënde ose dikujt tjetër unë të mbys krejt’.

Ajo kërkoi ndihmën e Policisë së Kosovës për ta marrë sërish djalin e saj të mitur, me ç’rast bashkë me punëtoren e Qendrës për Punë Sociale dhe njësitet policore, kanë shkuar në Rahovec prej ku edhe e kanë marrë djalin 1 vjeç e gjysmë të cilin e mori nga nëna e tij gjyshi nga ana e babait.

Po ashtu Policia ka shoqëruar në Stacion Policor të dyshuarin, ku gjatë intervistimit ai ka pranuar se kishte shkuar që ta marrë bashkëshorten që të kthehen në shtëpinë e tyre, por që më pas e kishte goditur me shuplakë pasi ajo refuzoi kërkesën e tij.

Me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje‘.

/GazetaSinjali/