Gjykata Speciale ka shpallur fajtor, kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati si dhe ish-nënkryetarin e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Gjykata ka dënuar Gucatin dhe Haradinaj me nga katër vite e gjysmë burgim si dhe me nga 100 euro gjobë.
Pas këtij vendimi, para mediave është deklaruar edhe Faton Klinaku nga OVL-UÇK. Ai theksoi se do të bisedojë me miqtë e tij në Hagë, me të cilët do të diskutohet mundësia e mbajtjes së protestave.
Klinaku tha se as nuk e kanë njohur këtë gjykatë dhe se do ta pengojë funksionimin e saj.
“Nëse do të duhej të njiheshin krimet, do të duhej të ndiqeshin krimet e masakrave që janë kryer në Kosovë. Është fatkeqësi që deputetët e Kosovës kanë votuar këtë gjykatë, e që sot nuk marrin masa ndaj këso pseudo-gjykate. Të gjitha ato që ne i kemi bërë i kemi paraqitur para mediave, dokumentacionet që kanë dalë nga skandalet e tyre. Është në rolin apo redaktimin e mediave, se si i bëjnë ato publike”, deklaroi Klinaku, transmeton lajmi.net.
Klinaku tha se nëse shokët e tyre u thonë se duhet të protestojnë, do të protestojnë.
“Kundër Kuvendit të Kosovës që është Kuvend që nuk bënë asgjë në këtë drejtim. Qoftë kundër gjykatës, qoftë kundër krimeve që janë kryer në Kosovë. Ne e kemi prit këtë vendim, kemi thënë edhe dje. Tash e mbas do të komunikojmë me shokët, për të diskutuar për protesta”./Lajmi.net/