Eksperti paralajmëron: Jemi në moment kritik, Rusia mund të përdorë armët bërthamore

- in Lajme

Nga Pyotr Topychkanov “The Moscow Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Kërcënimi i një sulmi bërthamor në Ukrainë po diskutohet shumë në media dhe rrjetet sociale.

Por ka arsye për të qenë sa skeptik aq edhe të kujdesshëm ndaj këtij kërcënimi. Së pari, një paralajmërim. Ndërsa luftimet e nisura më 24 shkurt po vazhdojnë ende në Ukrainë, spekulimet për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit të armatosur në një luftë me armë bërthamore duken kundër-produktive dhe të papërgjegjshme.

Para së gjithash, në një konfrontim të armatosur, kërcënimet e përshkallëzimit bërthamor, pa marrë parasysh se kush i thotë publikisht ato – një zyrtar shtetëror, një punonjës i medias shtetërore apo një ekspert – luajnë në favor të agresorit, ndërsa i pengojnë mbrojtësit dhe partnerët e tyre që të ndërmarrin masa të forta. Ekziston gjithmonë mundësia që të folurit për kërcënime bërthamor ta demotivojë palën e sulmuar.

Së dyti, spekulimet se Rusia mund të kryejë një sulm bërthamor, nuk bazohen në të dhënat e botës reale. Në fakt, ka shumë pak informacione të verifikuara se cilat janë synimet e Rusisë në Ukrainë dhe më gjerësisht në rivalitetin e saj me Perëndimin, dhe si synon t’i arrijë ato.

Nga pala ruse ka pasur shumë justifikime për pushtimin e Ukrainës. Duke pasur parasysh listën e gjatë të arsyeve të mundshme, është e pamundur të përcaktohet se cila e nxiti Rusinë të niste këtë luftë. Për më tepër, analistët zbuluan shumë shpejt se nuk e dinin procesin e vendimmarrjes në Rusi.

A mjafton vetëm vullneti i një komandanti të përgjithshëm për të nisur një sulm bërthamor, apo ky është ende një vendim që merret në grup? A mundet dikush tjetër përveç presidentit Putin, t’i thotë një “jo” kategorike opsionit bërthamor dhe ta heqë këtë çështje nga rendi i ditës?

Duke pasur parasysh morinë e deklaratave kontradiktore nga zyrtarë qeveritarë, që kanë pasur pak ose aspak lidhje me realitetin, si mund ta përcaktojmë nëse kërcënimet e radhës apo anasjelltas, janë një garanci se Rusia nuk ka ndërmend të nisë sulmet bërthamore?

Asnjë informacion në domenin publik nuk mund t’i japë një përgjigje përfundimtare asnjërës prej këtyre pyetjeve. Rusia vazhdon t’i referohet luftimeve në Ukrainë si një operacion ushtarak special. Ky status nuk nënkupton një mobilizim të përgjithshëm, dhe sinjalizon se nga këndvështrimi i Rusisë, nuk ka bazë ligjore për përdorimin e armëve bërthamore.

Për sa kohë që mbetet një “operacion special”, për Rusinë është një konflikt lokal me objektiva të kufizuara, dhe me rreziqe të moderuara. As presidenti Vladimir Putin dhe as ministrat e tij nuk kanë folur për aneksimin e territoreve të të ashtuquajturave Republikave Popullor të Donetsk dhe Luhansk, dhe të territoreve përkohësisht të pushtuara të Ukrainës.

Pra, kur njësitë ushtarake ruse dhe ato separatiste zmbrapsin kundërsulmet nga forcat ukrainase, ato janë duke mbrojtur një territor që nuk i përket Rusisë. Është e vërtetë që kreu i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, deklaroi kohët e fundit në Kherson se “Rusia do të jetë këtu përgjithmonë” dhe se monedha ruse po vihet në qarkullim në territorin e pushtuar në Ukrainë.

Ka të ngjarë që Vladimir Putin të ndryshojë mendje dhe të aneksojë territoret e pushtuara. Më pas, përpjekjet e Ukrainës për t’i rimarrë ato, së bashku me Krimenë, do t’i jepnin Rusisë një arsye formale për t’iu drejtuar armëve bërthamore për të mbrojtur veten. Por deri tani, këto deklarata dhe veprime nuk janë zyrtarizuar as politikisht dhe as juridikisht.

Bazuar në situatën aktuale, ka edhe më pak gjasa të ketë sulme bërthamore të Rusisë kundër vendeve anëtare të NATO-s, pavarësisht retorikës së masmedias ruse. Në fillim të konfliktit të armatosur, Putin kërcënoi me pasoja të paprecedenta ndaj çdo lloj përpjekjeje për të ndërhyrë nga jashtë.

Ai paralajmërim pati ndikim, duke e forcuar pozicionin e zyrtarëve perëndimorë që ishin kundër përfshirjes së drejtpërdrejtë ushtarake. Ndërkohë, vendet aleate dhe jo-aleate kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’i ofruar Ukrainës një ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe ekonomike edhe pa dërguar trupat e tyre.

Nga njëra anë, pala ruse duhet të jetë e kënaqur. Pasi tek e fundit, asnjë trupë e NATO-s nuk është dërguar në Ukrainë. Nga ana tjetër, perspektivat për fushatën ushtarake të Rusisë janë më pak pozitive sasa mendohej, pasi ndihma e huaj që po shkon në Ukrainë ose e ruan ose i përmirëson aftësitë ushtarake të kësaj të fundit.

Mbetet e paqartë se çfarë roli mund të luajnë armët bërthamore të Rusisë përveç frenimit të ndërhyrjes direkte ushtarake të NATO-s në Ukrainë. Por ndërkohë është e qartë se për sa kohë që ato luajnë një rol parandalues, vendet perëndimore do të mbeten të kujdesshme për të mos provokuar një përshkallëzim drejt luftës bërthamore.

Nëse Rusia do të dëgjonte apelet e papërgjegjshme të disa mediave ruse, dhe do të fillonte një sulm bërthamor kundër një vendi të NATO-s, armët bërthamore do të ktheheshin nga një mekanizëm parandalues ​​në një mjet lufte. Për më tepër, statusi i “operacionit special” i konfliktit nuk jep arsye për një agresion kundër vendeve të treta, sidomos me armë bërthamore.

Sulmi bërthamor është një vijë e kuqe. Nëse Rusia e kalon atë, asgjë nuk do t’i pengonte shtetet perëndimore që të ndërhynin drejtpërdrejt në konflikt në anën e Ukrainës. Kjo do të përbënte një kërcënim të katastrofës bërthamore për të gjithë botën, dhe do të rrezikonte të ardhmen e Rusisë dhe konfigurimin politik të pushtetit që Putin ka ndërtuar prej 2 dekadash.

A do të ishte gjithashtu një vijë e kuqe edhe një sulm bërthamor rus kundër Ukrainës? Kjo nuk është e qartë. Në SHBA, ekziston besimi i përhapur se administrata e Shtëpisë së Bardhë do të ishte nën një presion të madh për të ndërhyrë në konflikt në anën e Ukrainës.

Por është e vështirë të parashikohet sesi SHBA dhe aleatët e saj do të reagonin ndryshe, përveç rritjes së presionit të sanksioneve ndaj Rusisë dhe izolimit të saj të mëtejshëm. Por

pse Rusia do të përdorte armë bërthamore, si pjesë e një “operacioni special ushtarak” në Ukrainë? Me një shtrirje të gjerë të imagjinatës, ekzistojnë të paktën dy skenarë, që do të kishin kuptim në aspektin ushtarak.

I pari që Rusia të jetë në gjendje të pushtojë qendrat urbane dhe të detyrojë Kievin të nënshkruajë një paqe sipas kushteve të saj (duke ndjekur shembullin e bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore).

Në skenarin e dytë, kjo do të ndodhte nëse forcat aktuale në front nuk mjaftojnë për të penguar kundërsulmet masive nga forcat ukrainase. Një argument kundër të dy skenarëve është fakti se pala ruse vazhdon t’i mohojë sulmet me raketa dhe bomba ndaj civilëve, dhe fajëson për këtë ushtrinë ukrainase.

Ushtria ruse nuk pranon as përdorimin e armëve që i nënshtrohen ndalimeve ndërkombëtare, siç janë bombat thërrmuese. Politika e mohimit, synon që Rusia të përpiqet të normalizojë ose të paktën të përmirësojë marrëdhëniet me vende të ndryshme kur të ndalojnë luftimet në Ukrainë.

Por nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë, nuk do të jetë më e mundur të mohohen sulmet e saj apo të fajësohet ushtria ukrainase. Do të shkatërrohej plotësisht çfarëdolloj shprese e zbehtë që Rusia ka për një përmirësim të ardhshëm të marrëdhënieve me Perëndimin.

Në kushtet aktuale, nuk ka asnjë bazë ushtarake apo politike për përdorimin e armëve bërthamore kundër Ukrainës, dhe aq më pak kundër NATO-s. Por nëse lufta shkon keq për Rusinë, dhe ka të ngjarë që ukrainasit të zhvendosen në territore që Rusia i konsideron tashmë të sajat, si Krimea, dhe nëse Moska do të izolohej plotësisht politikisht dhe ekonomikisht, atëherë do të ketë argumente më serioze për një shantazh bërthamor.

Shënim:Pyotr Topychkanov, anëtar i Institutit Ndërkombëtar për Kërkimin e Paqes me seli në Stokholm, Suedi (SIPRI).