Jo rrallëherë zyrtarët policorë sulmohen dhe pengohen gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga të dyshuar që shpeshherë i rezistojnë arrestimit, përmes sulmeve e kërcënimeve ndaj Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë, pak para mesnatës, në rrugën “Pandeli Sotiri”, në Vushtrri, ku disa policë u sulmuan dhe u kërcënuan nga dy të dyshuar.
Sinjali mëson se fillimisht Policia ka marrë informacionin për një rrahje mes disa personave në një lokal, ku kërkohej intervenim, që të parandalohej përshkallëzimi i situatës. Një patrullë policore i është përgjigjur rastit dhe ka ndërhyrë në përleshjen që po ndodhte mes disa personave.
Por, Policia hasi në rezistencë, kur tentoi t’i arrestojë të dyshuarit e përfshirë në rast. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se njëri nga të dyshuarit i ka sulmuar policët, me ç’rast njërit ia ka grisur këmishën e uniformës dhe ka tentuar që t’ia marrë armën zyrtare.
Për ta vënë nën kontroll situatën, njëri nga zyrtarët policorë është detyruar të përdor sprejin zyrtar, por asgjë nuk mbaroi aty. Njëri nga të dyshuarit vazhdoi me sharje e kërcënime ndaj policëve me fjalët “kush jeni ju, po t’jau q* nanën”, teksa tjetri iu është vërsulur policëve duke iu drejtuar se “kush jeni ju që ma lidhni shokun, bre nanën jau q*, ta kom pa fytyrën ruju, se uniformën ka me jau deshë”.
Përkundër rezistencës së madhe, zyrtarët policorë kanë arritur ta vënë në pranga të dyshuarin e parë, ndërsa i dyshuari i dytë është dorëzuar më pas në Polici, por edhe aty ka vazhduar me kërcënime e sharje.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, dy të dyshuarit gjatë gjithë kohës kanë qenë të dehur. Të njëjtit janë dërguar për trajtimit mjekësor, e më pas me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Përveç tyre, ndihmë mjekësore kanë marrë edhe zyrtarët policorë, të cilët pësuan lëndime gjatë intervenimit në këtë rast.
/GazetaSinjali/