Një 17-vjeçar nga Lipjani ka humbur jetën aksidentalisht në fshatin Divlakë, dje në orët e pasdites. Sipas informatave të para, i riu vdiq derisa ishte duke i ndihmuar dajës në prerjen e druve.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Argjend Menën, i cili u dërgua pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran rreth orës 14 e 40, ku edhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij.
Sipas mjekut kujdestar, Feriz Bytyqi, viktimës nuk i është vërejtur ndonjë shenjë e dhunës.
“Sipas familjarëve, i ndjeri ka qenë te dajtë, duke i ndihmuar me disa punë dhe në momentin që është ulur të pushojë, i është keqësuar gjendja dhe është alivanosur.
I riu është pranuar në qendrën tonë pa shenja jete. Ai nuk ka pasur dëme fizike por që nga përkeqësimi i gjendjes ai është ofruar tek ne. Ai është pranuar rreth orës 14:40 dhe jemi munduar që t’i dalim në ndihmë duke iu ofruar të gjitha shërbimet tona por që ishin të pa suksesshme”, tha Bytyqi për Sinjalin.