A është kjo arsyeja e vërtetë pse Qeveria po e mbanë sekret fondin për Ushtrinë

- in Lajme

Fondi për Ushtrinë e Kosovës, i inicuar sivjet nga Qeveria Kurti po vazhdon të mbahet krejt konfidencial e larg publikut e mediave.

Askush zyrtarisht nuk e di sa pare janë mbledhur deri tash nga qytetarët e kompani biznesesh. Por, njëjtë s’ka ndodhur e nuk po ndodh edhe me donatorët. Me fillim të hapjes së xhirollogarive, kanë vërshuar nëpër rrjete sociale zotimet e fletë-vërtetimet për të dhënë para nga xhepi vetanak. Si zakonisht, i njohur nga pushteti u bë edhe buxheti 100 milionësh për FSK’në. Veç shuma e mbledhur e fondit, deri tash po mbahet sekret.

Qeveria e Kosovës, më 2 mars, kishte themeluar Fondin për Ushtrinë, bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në përgjegjësinë për menaxhim nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, mjetet e grumbulluara parashihet të përdoren për mbështetje të prioriteteve, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore etj.

Qysh në fillim, prej Qeverisë kishin thënë se shuma e donacioneve do të mbahet diskrete, shkak siguria kombëtare. Përtej kësaj, kryeministri Albin Kurti sikur ishte fryer me shifra të përgjithshme, por jo konkrete.

“Deri më tani në Fondin e Sigurisë janë grumbulluar para me numër shtatëshifrorë e donatorë të cilët kanë dhënë para janë në numër katërshifrorë”, ishte kjo përgjigja e Kurtit.

Mirëpo, Periskopi mëson se që nga krijimi i fondit e deri tash nuk janë mbledhur as 2 milionë euro. Sipas burimeve, kjo besohet të jetë arsyeja pse nuk po bëhet publike shuma e saktë e mjeteve të grumbulluara, pasi mund të shihet si dështim.

Kush janë katërshifrorët e shtatëshifrorët në (s) fond dhe sa pare dhanë?

Pas publikimit të vendimit për themelimin e Fondit të Sigurisë, edhe fytyra publike kishin deklaruar se do të dhurojnë para. Në mesin e tyre janë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës që kishin premtuar publikisht në disa raste komplet një pagë mujore.

E populli, aq sa ka vullnet, shihet që s’ka edhe para për të ndihmuar FSK’në. Kështu kishte thënë një qytetar për REL.

“Po të kisha para do t’i dhuroja aq sa do të kisha. Por, tani, sipas mundësive që i kam aq do të dhuroj”, thoshte Fadil Bekteshi.

Lypset Komision Parlamentar për mbikëqyrje të Fondit

Kuvendi i Kosovës ka synim të propozojë komision parlamentar që do të vëzhgonte procesin e mbledhjes së mjeteve për këtë qëllim. Kështu për Periskopin ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha.

 

‘’Është propozim për me i hjek këto dilema, do të bëhet një komision prej Kuvendit të Kosovës i cili do të udhëhiqet nga njerëz të besueshëm dhe që do t’i informojë gjithë se sa ka mbërri’’ , ka thënë Berisha.

Tutje ai beson në mundësinë e manipulimeve nga ana e donatorëve dhe premtimeve boshe, megjithatë mendon se qëllimi është shumë më i madh.

‘’Unë e di që te na ka zëra shumë për shkak edhe të disa fondeve si ‘Vendlindja Thërret ose ‘3 përqindëshi’ edhe janë keqpërdorë, janë kanë temë e janë etiketu plot njerëz. Ka pasë edhe keqpërdorime. Mundet me pasë kurreshtje sa pare janë bë, mirëpo këto nuk janë fort për me i bo transparente.Ka edhe që rrejnë por në fund të fundit, qëllimi i fondit është më i madh.’’.

Një mbikqyrje parlamentare e sheh të nevojshme edhe ish-komandati i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Kadri Kastrati. Ai për Periskopin deklaroi se procesin duhet ta kontrollojë patjetër edhe dikush nga opozita, në mënyrë të shmangjes së ndonjë keqpërdorimi të mundshëm.

‘’Mendoj që pozitë e opozitë ish dashtë me kontrollu edhe sa mjete janë tubu por edhe sa shpenzohen e si shpenzohen nga ai fond. Sepse nëse veç pozita e kontrollon atë fond, lind dyshimi se ai fond mund të keqpërdoret për çështje tjera’’, tha ai.

Sipas Kastratit, ushtria nuk mbahet me vitra të popullit, por që duhet të ndahet buxhet dinjitoz për sigurinë. Ai tutje nuk sheh arsye pse të mbahet fondi sekret nga ana e Qeverisë.

‘’Buxheti gjithë është publik. Unë nuk shoh arsye që fondi me qenë sekret. Fondi duhet me qenë pubik dhe me tregu sa mjete financiare janë mbledh për këtë çështje. E si shpenzohen ato, normal që ushtria mban pajisje e armatime që s’ka nevojë të jenë publike’’.

Kujtojmë që Kosova për këtë vit ka ndarë 100 milionë euro për ushtrinë nga buxheti i saj. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë. Ndërsa, në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se shuma e ndarë për ushtrinë përbën 1,3 për qind të Bruto-Produktit Vendor. /Gazetametro